16. Dezember 2018

A do te Fitojm ?

Edhe pse do të luajë si vendas në njërin prej stadiumeve më të mirë në Evropë, atë olimpik në Baku me kapacitet prej 70 mijë ulëseve, Azerbajxhani ndien frikë nga Kosova, me të cilën do ta zhvillojë ndeshjen e parë të Grupit 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve, shkruan sot Gazeta „Zëri“. 

Takimi në mes Azerbajxhanit dhe Kosovës zhvillohet sonte prej orës 18:00 sipas kohës sonë.

Në të njëjtin grup janë edhe Ishujt Faroe dhe Malta. Fituesi i këtij grupi do të luajë në “Play-Off” me fituesit e tri grupeve tjera të Ligës D, ku janë të përfshira vendet e poshtme të renditjes së FIFA-s.

Fituesi i Ligës D shkon direkt në “Euro 2020” dhe kjo ka bërë që të gjitha këto shtete të vogla ta mirëpresin kompeticionin e ri të UEFA-s, i cili u jep shans shumë më të madh për të shkuar në Kampionat Evropian sesa që u japin kualifikimet tradicionale.

Sikurse Kosova, edhe Azerbajxhani synon ta shfrytëzojë shansin. Por qysh në ndeshjen e parë do të ketë punë të vështirë kundër Kosovës, të cilën në Baku po e vlerësojnë lart.

“Ndeshja ndaj Kosovës në Baku do të jetë e ngjashme me një finale. Ky takim është shumë i rëndësishëm për ne. Ne e dimë se shumë lojtarë kundërshtarë luajnë jashtë Kosovës, në klube evropiane, por është e rëndësishme që ne të luajmë ashtu siç dimë vetë. Nëse bëjmë gjithçka që na kërkon trajneri, ne mund të arrijmë një rezultat të mirë. Ne mund t’ia dalim”, ka deklaruar mbrojtësi i dalluar i Azerbajxhanit, Badawi Huseynov, shkruan më tutje „Zëri“.

Pas duelit me Kosovën kjo skuadër do të luajë me Maltën, ndaj së cilës pret fitore të sigurt. Andaj ky ekip lakmon të fitojë edhe kundër Kosovës që ta krijojë një kapital fillestar prej 6 pikëve sepse me Ishujt Faroe mund ta ketë problem.

Përfaqësuesja e Ishujve Faroe rezulton si favorite e grupit të Kosovës në Ligën D të Kombeve nëse merret parasysh ranglista e FIFA-s. Kjo skuadër është në vendin e 90-të të FIFA-s.

Kundërshtari tjetër i Kosovës, Azerbajxhani, është në pozitën e 105-të, kurse shteti ynë e mban pozitën e 141-të në FIFA. Ndërsa Malta është akoma më poshtë, në vendin e 184-t. /ZERI